Afganistan, Abdullah kryeson në zgjedhje

24/04/2014 00:00

Kandidati në zgjedhjet presidenciale të Afganistanit, Abdullah Abdullah mbetet në pararojë kur janë numëruar mbi 80 për qind e votave, deklarojnë autoritetet lokale.

Abdullah ka siguruar 43.8 për qind të votave, i ndjekur nga Ashraf Ghani me 32.9 për qind, gjithmonë sipas Komisionit të Pavarur Zgjedhor.

KPZ deklaroi se rezultatet paraprake sugjerojnë se ka pak gjasa që trendi i rezultatit të ndryshojë kur të mbahet balotazhi më 28 maj.

Presidenti i ardhshëm do të përballet me një sërë sfidash kyçe, përfshirë atë të tërheqjes së paralajmëruar të trupave të NATO-s nga Afganistani dhe atë të sulmeve të talebanëve.

Komisioni i Pavarur Zgjedhor deklaroi se rezultatet paraprake bazohen në mbi 82 për qind të votave të numëruara nga 34 provincat.

Rezultatet përfundimtare do të shpallen më 14 maj. Në mënyrë që të shpallet fitues, një kandidat duhet të sigurojë më shumë se gjysmën e votave të vlefshme. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë dy më të votuarit shkojnë në balotazh.

“Me 17.5 për qind të votave që kanë mbetur për t’u numëruar, ka pak gjasa që dikush të fitojë që në raundin e parë”, ka deklaruar kryetari i KPZ-së, Ahmad Yousuf Nuristani.

Rreth 7 milionë afganë sfiduan kërcënimet e talebanëve dhe morën pjesë në zgjedhjet e 5 prillit, që u shtrinë në 34 provincat e vendit.

Pjesëmarrja ishte dyfish më e madhe se presidencialet e fundit të mbajtura në vitin 2009, pavarësisht një numri sulmesh terroriste dhe motit të ftohtë me shi ditën e zgjedhjeve.

Top Channel