Turi aziatik, Obama në Seul

25/04/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ndodhet në Seul për një vizitë zyrtare, në një moment kur Korea e Veriut mund të jetë duke planifikuar testin e katërt bërthamor.

Zoti Obama, që mbërriti nga Japonia duke bërë ndalesën e dytë të turit të tij aziatik, do të zhvillojë bisedime me presidenten koreano-jugore Park Geun Hye.

Dialogu pritet të fokusohet pikërisht tek rasti i Koresë së Veriut, pas lajmeve për rifillimin e aktiviteteve në impiantin bërthamor Pungye.

Gjithashtu, Obama pritet të shprehë hidhërimin e tij për tragjedinë detare të ndodhur javën e kaluar. Më pas ai do të vizitojë trupat amerikane atje dhe do të fluturojë për në Malajzi.

Më herët, duke folur nga Japonia, Obama e konsideroi çështjen koreano-veriore si “problemin më destabilizues dhe më të rrezikshëm në të gjithë rajonin e Azisë së Paqësorit” dhe e cilësoi influencën e Kinës tek Peniani si “të një rëndësie kritike”.

Më herët gjatë javës, ushtria e Koresë së Jugut deklaroi se kishte konstatuar një rritje të aktivitetit në impiantin bërthamor të Veriut, duke sugjeruar se vendi komunist po planifikon një test të ri ose shtiret sikur po e organizon atë.

Korea e Veriut ka kryer tre teste në të kaluarën, më i fundit prej të cilëve në shkurt 2013, një incident që shkaktoi muaj të tërë tension në Gadishullin Korean.

Top Channel