Bizneset, me detyrim në Dhomën e Tregtisë. DAT: Rrit koston, fuqizon Dhomën Publike

07/02/2016 00:00

Qeveria ka dërguar në Parlament një projektligj, i cili detyron të gjitha bizneset, të mëdha apo të vogla, që të anëtarësohen në Dhomën Publike të Tregtisë. Drafti është nismë e Ministrisë së Ekonomisë dhe mbështetet nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.

Sipas tij, anëtarësimi nënkupton që çdo biznes do të paguajë kuotën e detyrueshme vjetore për Dhomën, e cila do të vendoset nga Asambleja e këtij institucioni. Ministria thotë se, ligji do të fuqizojë Dhomën Publike të Tregtisë dhe Industrisë, që sot – sipas saj, – ndodhet në vështirësi financiare.

* Por, detyrimi me ligj i bizneseve për t’u anëtarësuar në Dhomën e Tregtisë ka krijuar shqetësim te shoqatat e tjera të biznesit. Dhoma amerikane i është drejtuar, zyrtarisht përmes një letre Komisionit të Ekonomisë, duke i kërkuar bllokimin e ligjit, i cili – sipas saj, – godet sipërmarrjen në vend.

Dhoma amerikane mendon se, ky detyrim rrit kostot për biznesin dhe do të pengojë hapjen e bizneseve të reja”, shkruan Lorenc Gjoni, drejtor ekzekutiv i DAT-së.

Sipas saj, përveç se rrit barrën mbi të gjitha bizneset, drafti monopolizon përfaqësimin e sipërmarrjes, duke cënuar dhomat e tjera.

Nisma për forcimin e dhomave publike po bëhet duke iu vendosur bizneseve një taksë të fshehtë”, vijon më tej Gjoni.

Në fund të letrës, Dhoma amerikane u shpreh deputetëve edhe një shqetësim tjetër.

Në mënyrë të përsëritur, qeveria ndërmerr nisma dhe miraton ligje në fushën e ekonomisë, pa u konsultuar me shoqatat e biznesit”.

Top Channel