Kryetari i partisë opozitare LSDM, Zoran Zaev nuk do të marrë pjesë në takimin e Vjenës, i thirrur për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, nëse deri të premten nuk anulohet vendimi i presidentit Gjorgje Ivanov për faljen e politikanëve dhe nëse nuk shtyhet data e zgjedhjeve që janë caktuar të mbahen më 5 qershor.

“Respektojmë çdo iniciativë të eurodeputetëve dhe komisionerit Hahn për takimin e liderëve nga Maqedonia në Vjenë. Por, për të marrë pjesë në takimin e Vjenës duhet të plotësohen paraprakisht dy kushte: Ivanov duhet të tërheqë të gjitha vendimet e turpshme për falje dhe të thirret Parlamenti për të anuluar vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor, për shkak se ende nuk janë plotësuar kushtet”, ka deklaruar Zaev.

Kushtet e Zaevit e kanë vënë në pikëpyetje takimin mes katër partive kryesore, VMRO, LSDM, BDI dhe PDSH që është caktuar të mbahet në Vjenë.

Kryetari i parlamentit, Trajko Veljanovski ka thënë se institucioni është shpërndarë dhe nuk mund të caktohet seancë për anulimin e datës së zgjedhjeve, ndërsa ditë më parë presidentit Gjorgje Ivanov tha se nuk e ka ndërmend të tërheqë vendimin për faljen e 56 politikanëve nën hetim.

Ndërkohë, deri të mërkurën pjesëmarrjen në takimin e Vjenës zyrtarisht e ka konfirmuar vetëm partia më e madhe maqedonas VMRO-DPMNE.

Top Channel