Venezuela ndryshon orën

01/05/2016 00:00

Banorët e Venezuelës humbën gjysmë ore gjumë të dielën kur akrepat e orëve të tyre lëvizën parpara për të kursyer energji elektrike, ndërsa vendi përballet me një krizë të thellë ekonomike.

Ndryshimi i orës u urdhërua nga Presidenti Niklas Maduro, një pjesë e një pakete masash për t’u përballur me mungesën e elektricitetit. Më herët qeveria kishte miratuar ndërprerje energjie me orar si dhe një javë punë prej vetëm dy ditës për sektorin publik.

Sipas qeverisë, faji për krizën energjitike është i thatësirës së madhe, por kritikët e saj thonë se është thjesht keqamanaxhim i sektorit energjitik. Qeveria gjithashtu ka urdhëruar mbylljen e shkollave që të premten, ndërsa qendrat tregtare hapen vetëm me gjysmën e orarit dhe e gjenerojnë vetë energjinë.

Ndryshimi i orës u lajmërua nga ministri i Shkencës dhe Teknologjisë, Jorge Arreaza, i cili tha se përdorimi i elektricitetit gjatë natës për ndriçim dhe kondicionerët ishte shumë i lartë. Prandaj qeverisë ju duk zgjidhje mjaft e zgjuar që t’i zgjojë njerëzit më herët për të kursyer elektricitet.

Ndërsa shtohen masat qesharake për të mbuluar gabimet trashanike të qeverisë, opozita në Venezuelë ka nisur mbledhjen e firmave për një referendum që të largojnë Presidentin Maduro nga pushteti.

Top Channel