De Biasi, “zbor” lojtarëve në Austri

30/05/2016 00:00

Kombëtarja shqiptare mori një fitore 3-1 në ndeshjen miqësore të së dielës ndaj Katarit. Vetëm një ditë më pas trajneri De Biasi nuk e ka ulur përqendrimin e kuqezinjve, por ka vijuar programin e tij.

Futbollistët e kombëtares janë kthyer në alpinistë në një park pranë kampit ku po stërvitet kombëtarja kuqezi. Një mënyrë për të relaksuar futbollistët, por edhe për t’i mbajtur në formë të mirë fizike në atë që mund të konsiderohet si ditë pushimi pas miqësores së luajtur.

Faza e programit në Austri ka qenë e ngjeshur dhe sigurisht seanca të tilla argëtuese vlejnë pozitivisht te grupi.

Kjo është një praktikë e ushtruar edhe nga skuadrat e mëdha që zgjedhin sporte zbavitëse për të relaksuar futbollistët por mbi të gjitha për ti dhënë qetësi psikologjike në prag të një evenimenti të rëndësishëm si europiani.

Ditën e martë, De Biasi do të vendosë për listën përfundimtare me 23 lojtarët që do të marrë në Francë, ndërsa të premten do të zhvillohet edhe ndeshja miqësore me Ukrainën.

FOTO GALERI
1/13

Top Channel