Grabitja, 5 të arrestuar. Drejtues e punonjës të “ICTS” akuzohen për shpërdorim detyre

01/07/2016 00:00

Prokuroria e Krujës urdhëroi mbrëmjen e se premtes arrestimin e 5 drejtuesve dhe punonjësve te kompanisë së sigurimit “ICTS” ne Aeroportin e Rinasit, pasi ata dyshohet se kanë shpërdorur detyrën, duke krijuar mundësinë që tre persona të armatosur të realizojnë vjedhjen e parave ne pistën e aeroportit.

Prokuroria e Krujës, e cila bëri hetimet e para, thotë se ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat e ndaluar nuk kanë marrë masat e nevojshme për të siguruar qarkullimin e vlerave monetare në ambientet e brendshme të aeroportit të Rinasit.

Personat e ndaluar:
Arben Karafili, drejtor operacional i kompanisë “ICTS”
Bledar Blloshi, agjent i kompanisë “ICTS” (patrullë)
Fadil Jonuzaj, agjent i kompanisë “ICTS” (patrullë)
Kujtim Picari, shoqërues i vlerave monetare i një banke të nivelit të dytë
Vangjel Nikolla, kryetar i Degës Teknike të Aeroportit.

Prokuroria e përgjithshme që shpërndau edhe njoftimin për shtyp thotë se hetimi për vjedhjen po kryhet nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda, pasi ka dyshime se vepra penale është konsumuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Ndërkohë pamjet e kamerave të sigurisë në Aeroportin “Nënë Tereza” tregojnë dinamikën e ngjarjes së rëndë që shkatërroi gjithë sistemin e sigurisë ndërsa tre persona me maska e armë mundën të hyjnë e të dalin qetësisht në pistën e avionëve pasi rrëmbyen një sasi të madhe parash.

Një person me veshje fosforeshente, të ngjashme me ato të punonjësve të aeroportit, ka hapur portën e shërbimit e cila përdoret vetëm për futjen e mjeteve që furnizojnë avionët me karburant.

Në derë nuk ka asnjë roje, as civil dhe as i armatosur, për pak sekonda është prerë dryni i portës. Prej andej hyri një automjet tip Benz Mercedes 250 me ngjyrë vishnje i cili ka ecur përgjatë regjimit të aeroportit duke u ndalur në vendin ku automjeti po shkarkonte thasët me para.

Përveç punonjësve të kompanive së sigurimit gjatë të premtes janë shoqëruar edhe 16 persona të tjerë të skeduar si kontingjent i policisë që jetojnë apo punojnë në zonën përreth. Bubqi njihet si zonë e skeduar nga policia, jo thjesht për aktivitete kriminale por edhe për fshehjen e personave me lidhje ekstremiste islamike.

Por me urdhër të prokurorit të përgjithshëm, Adriatik Llalla, kanë filluar hetimet edhe për drejtuesit e policisë së Rinasit pasi masat e sigurisë së aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend, dy ditë pas ngjarjeve të Stambollit, rezultuan në nivel zero.

Fati i vetëm është se tre personat e Rinasit, ndryshe nga tre personat e Stambollit, zgjodhën të enjten të jenë vetëm hajdutë dhe jo terroristë.

Top Channel