Juncker: Sllovakia, presidencë me sfida tepër të mëdha të BE-së; Dhe gafa…

01/07/2016 00:00

Presidenti i Komisionit Europian uroi Sllovakinë për marrjen e Presidencës së radhës së BE-së, kur sfidat e vendit për të menaxhuar një bllok të tillë janë të mëdha pas daljes së Bitanisë. Por në vend që të uronte Sllovakinë, Juncker u ngatërrua.

“Ne duam që gjatë Presidencës britanike…britanike thashë? Kjo po që është shakaja e ditës!”, tha ironikisht Juncker.

Batuta reflektoi shqetësimin e madh të ngritur në mesin e BE-së pas largimit të ishullit nga gjiri i Brukselit. Megjithatë, ai iu kthye prioriteteve të presidencës së re 6-mujore.

“Ne do të përdorim të gjitha instrumentet dhe mjetet që kemi në dispozicion për tregun e brendshëm, bashkëpunimin dixhital, si dhe kapitalin e përbashkët”, tha Juncker.

Kryeministri Robert Fico hodhi idenë e mbajtjes së një samiti jozyrtar në kryeqytetin Bratislavë në muajin shtator, ku udhëheqësve të 27 vendeve të mbetura anëtare t’iu jepet mundësia për ta analizuar edhe një herë të ardhmen e unionit.

Fico beson se Sllovakia mund ta ndihmojë Bashkimin Europian të kontrollojë drejtimin që do të marrë nga ky moment. Në fillim të javës, ai iu drejtua pjesëmarrësve në takimin e Këshillit europian në Bruksel me fjalët:

“Kushdo që beson se pas ‘Brexit’-it ne mund t’i ofrojmë publikut europian pak a shumë të njëjtat gjëra, e ka gabim, tani udhëheqësit e qeverive të BE-së kanë si prioritet uljen e ankesave nga partitë e djathta euroskeptike, që kanë pakënaqësi në rritje ndaj Brukselit, për të cilin thonë se ka centralizuar pushtetin”.

Top Channel