Vizitë e papritur ushtarakëve rusë në Siri

29/08/2016 00:00

Atletet ruse, mes të cilave edhe rekordmenja botërore e kërcimit me shkop Yelena Isinbayeva, u kanë bërë një surprizë të rrallë ushtarakëve rusë të ndodhur në bazën ajrore siriane, të cilën Rusia e përdor për të goditur luftëtarët e Shtetit Islamik.

Isinbayeva, e cila ka fituar medaljet e arta në Olimpiadën e 2004-s dhe atë të 2008-s, e që sikurse edhe të gjithë atletët e tjerë të pistave u ndaluan të garonin në Rio de Janeiro, udhëhoqi një grup atletesh ruse drejt bazës së Hemeimeemit, në rajonin sirian të kontrolluar prej forcave qeveritare.

Televizioni shtetëror rus shfaqi këtë të hënë pamje të Isinbayevës të veshur me një bluze të bardhë, teksa ndiqte edhe stërvitjen e mëngjesit të disa ushtarëve. Isinbayeva, e cila është tërhequr këtë muaj nga garat e atletikës, e që ka fituar edhe përzgjedhjen në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik si përfaqësuese e atletëve, tha se ndihej tepër krenare që ndodhej në bazën ushtarake ruse për t’u shtuar moralin trupave ushtarake.

“Çdo gjë këtu më mbush me patriotizëm dhe krenari”, u shpreh atletja ruse.

Rekordmenja e kërcimit me shkop, e cila e kaloi natën në bazën ushtarake, tha se as ajo dhe as atletet e tjera nuk ishin shqetësuar nga zhurma e motorëve të avionëve luftarakë rusë që ngriheshin për fluturime, me mision bombardimin e zonave të ekstremistëve xhihadistë.

“Sa herë që ngrihej një avion luftarak, na dukej sikur dëgjonim ninullën që mezi e prisnim për të na zënë gjumi”, tha ajo.

Rusia, një aleate e palëkundur e presidentit sirian Bashar al-Assad, vijon bombardimet ndaj militantëve të Shtetit Islamik prej gati një viti, sikurse mbështet edhe ofensivat e forcave besnike të Assadit kundër rebelëve opozitarë.

Ndërkohë, disa prej sportistëve rusë, përfshi peshëngritësin Soslan Ramonov, mbollën edhe pemë në bazën ushtarake. “Ky është një nder i madh për mua”, tha peshëngritësi medalist i artë në peshat deri në 65 kg. “Kam mbjellë një pemë për herë të parë në jetën time, e shpresoj jo hera e fundit”.

Top Channel