Penalltitë, në 4 javë arbitrat gabuan në 5 raste

28/09/2016 00:00

Ndodh thuajse gjithmonë të mbyllet një fazë apo një kampionat mes shumë polemikash presionesh e gabimesh gjyqtarësh, por asnjëherë më parë, në historinë e futbollit shqiptar një kampionat nuk ka filluar me 5 penallti të padhëna apo dhëna gabim, brenda 4 javësh.

Gabimi njerëzor, apo pjesë e lojës, është përgjigjja klishe për të favorizuarit, apo për këdo që kërkon të çtensionojë situatën, por këtë herë është tejkaluar çdo masë. Sokol Jareci, shefi i sektorit të gjykimit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit në një intervistë për Top Channel sqaron se këtë herë është kaluar çdo masë.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë që një situatë e tillë e arbitrave. Presidentët hynë në konflikte me njëri tjetrin sepse i komandojnë ekipet sic duan vetë, ndërkohë që sa i përket gjyqtarëve nuk besoj, megjithëse dorën në zjarr nuk e vë“, shprehet shefi i sektorit të gjykimit në FSHF, Sokol Jareci.

Në momentin më të nxehtë ku po kërkohet standardi më i lartë i drejtësisë në të gjitha gjykatat e vendit tonë, me vetingun e famshëm, Jareci thekson se një veting të ngjashëm arbitrat, apo gjyqtarët e futbollit, e kanë patur prej kohësh.

“Gjyqtarët, pra arbitrat, gjithmonë i janë nënshtruar testimeve teorike dhe fizike, pra një lloj vetingu e kemi patur më përpara. Ndërgjegjshmërinë ia kemi lënë në dorë arbitrave. Është viti 2016-të dhe nuk flasim më për test ndërgjegjshmërie”, shton Jareci.

Pavarësisht kritikave, dyshimeve apo shënjestra e shfryrjes së çdo lojtari, trajneri, presidenti dhe deri tifozi, pozicioni i arbitrit në Shqipëri është shndërruar në një profesion të lakmueshëm.

Aktualisht në vendin tonë ka rreth 460 arbitra meshkuj e femra dhe me qindra të tjerë mbeten në pritje për të veshur uniformat e zeza së drejtësisë së futbollit. Por pasioni nuk është i vetmi që i shtyn të rinjtë, pasi një gjyqtar i superiores paguhet rreth 40 mijë lekë për ndeshje, gjithmonë nëse mbetet i ndershëm dhe vërshëllen vetëm sipas rregullores së UEFA-s dhe FIFA-s.

Top Channel