Basha reagon pas videos së shpërndarë nga Rama për kanabisin

28/09/2016 00:00

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat mbrëmjen e së mërkurës, kreu i Partisë Demokratike ka reaguar ndaj një videomesazhhi të shpërndarë më herët nga Kryeministri Edi Rama përmes të cilit publikon ato që ai i quan në përshkrimin e videos si “të pathëna për kultivimin e kanabisit” kur në pushtet ishte opozita e sotme.

“Pasi e mbushi Shqipërinë me drogë dhe pasi është dorëzuar kokë e këmbë tek krimi dhe droga, tani zgjidhjen njësoj si për plehrat e kërkon tek gënjeshtra dhe mashtrimi. Sot Kryeministri hodhi në qarkullim një videografik të gatuar në studiot e mashtrimit qeveritar, për t’u mbushur mëndjen njerëzve se drogën nuk e ka sjellë ai po e gjeti mes nesh. Videografiku është një mashtrim i pastër. Pretendimet e tij janë sajesa të Edi Ramës”, thotë Basha.

Sipas kreut të PD, videomesazhi nuk mund të fshehë faktin e Shqipërisë së pushtuar nga droga.

“Videomashtrimi nuk mund të mbulojë dot as faktin që tani e dinë të gjithë: droga po lulëzon kudo me lejen dhe mbrojtjen e Edi Ramës; droga po lulëzon se Edi Rama nuk ka dashur të kapë asnjë trafikant, por është marrë me ca fakirë fukarenj, ndërkohë që kokat e trafikut si Habilajt dhe Klement Balili me shokë janë të lirë dhe të paprekshëm dhe bosët e drogës si Bushi, Roshi dhe Aga me kompani janë kryetarë bashkish, deputetë dhe krerë të policisë”, deklaron Basha.

“Edi Rama është tashmë një vegël e bindur në duart e kriminelëve dhe trafikantëve të drogës. Ne emër të tyre, Edi Rama ka tradhtuar popullin e vet dhe po shkatërron të ardhmen e tij. Shqiperia në rrezik me Edi Ramën!”, mbyllet reagimi i PD.

Top Channel