Frikë për sulme të armatosura në Mal të Zi, arrestohen 20 serbë

16/10/2016 00:00

Policia malazeze ka arrestuar 20 persona, të dyshuar për planifikimin e sulmeve të armatosura gjatë zgjedhjeve parlamentare.

Vendi po përjeton tensione të mëdha në votimet e kësaj të diele, proces që do të përcaktojë nëse shteti ballkanik do të vazhdojë rrugën drejt Perëndimit, apo do të kthehet drejt aleatit tradicional, Rusisë.

Drejtori i Policisë, Slavko Stojanoviç deklaroi se të arrestuarit ishin shtetas serbë, të cilët, të pajisur me armë kishin planifikuar të sulmonin institucionet shtetërore, policinë dhe ndoshta zyrtarë të lartë të shtetit pas votimit.

Ata janë akuzuar për “formim të një organizate kriminale dhe terrorsite”. E ndërsa 20 u arrestuan, një tjetër person është në kërkim nga policia.

Po ashtu, në Malin e Zi ndihet frika se dhuna mund të shpërthejë nga çasti në çast në rrugët e Podgoricës, mes mbështetësve të opozitës dhe atyre të qeverisë. Votimet e kësaj të diele konsiderohen si testi më i fortë i qeverisjes 25-vjeçare të Gjukanoviçit.

Top Channel