Rrëfimi i kardinalit: Trump pranoi se Clinton ishte “e vështirë” dhe “e talentuar”

21/10/2016 00:00

Donald Trump dhe Hillary Clinton kanë vijuar të shkëmbejnë “thumba” për njëri-tjetrin edhe gjatë mbrëmjes së të enjtes, por jo vetëm kaq.

Republikani, i cili e ka kërcënuar rivalen e tij se do ta burgosë, si dhe demokratja, e cila nuk e ka ndryshuar mendimin se rivali i saj është i papërshtatshëm për Shtëpinë e Bardhë, në mënyrë surprizë paskan shprehur edhe fjalë të mira në prapaskenë, në darkën e organizuar nga Fondacioni Alfred E. Smith.

Edhe pse Trumpi dhe Clinton “shigjetuan” sërish njëri-tjetrin gjatë fjalimeve të tyre në mbrëmjen e përvitshme të organizuar nga fondacioni katolik, Kardinali Timothy Dolan tha se kandidatët “thanë edhe gjëra të këndshme” jashtë asaj tryeze.

“Kam qenë shumë i habitur nga përpjekjet e të dyve, ish-Sekretares Clinton dhe zotit Trump, për t’u dukur si të sjellshëm, për të qëndruar bashkërisht dhe për të thënë gjëra të mira privatisht ndaj njëri-tjetrit”, tha Dolan për “NBC”. “U befasova të them të drejtën, ishte diçka shumë pozitive”.

Dolan, i cili ishte ulur mes Trumpit dhe Clintonit në podium, pranoi se ata të dy dukeshin njësoj si presidenti Barack Obama dhe rivali i tij Mitt Romney në vitin 2012, “si të thuash qëndronin mes vështirësish bashkë”.

“Por qëllimi i mbrëmjes ishte pikërisht thyerja e atij akulli mes tyre dhe, falë Zotit, funksionoi më së miri”, tha ai. “Darka e ‘Al Smith’-it ishte si të thuash, unë u vendosa mes tyre dhe shërbeva si një urë lidhëse për ata të dy. U përpoqa të bëja më të mirën dhe pati disa momente shumë prekëse”.

Dolan rrëfeu më pas se të tre ata ishin lutur bashkërisht, e pas saj, Trump u kthye nga ish-Sekretarja Clinton për t’i thënë: Ti e di mirë, je një nga gratë më të vështira dhe më të talentuara!

Trump duket se ka vlerësuar këtë periudhë si “një eksperiencë shumë të mirë përgjatë të gjithë fushatës, edhe pse ashtu e ashpër siç ka qenë”, ndërsa zonja Clinton i ka thënë republikanit se “çfarëdo që të ndodhë, Donald ti e di që ne duhet të punojmë bashkë pas këtyre zgjedhjeve”.

Top Channel