“Chanel N.5” kundër trenit me shpejtësi të lartë

02/12/2016 00:00

Konsiderohet aroma më e famshme në botë dhe prej dekadash ka selinë e saj në Grase, qytezë e rajonit të Provencës, e njohur ndryshe si kryeqyteti botëror i parfumit, industria e të cilit daon që në shekullin XVI.

Megjithatë, i famshmi “Chanel N.5”, esencë e dalë për herë të parë në vitin 1921 nga Coco Chanel dhe nga parfumisti Ernest Beaux, kërcënon se do të braktisë komunën e famshme që ndodhet pranë Bregut të Kaltër.

Motivi? Marka e esencave është kundër projektit të ri prej 6.7 miliardë eurosh për trenin e shpejtësisë së lartë Provencë-Bregu i Kaltër, që parashikon kalimin e hekurudhës mbi fushat e jasemisë, që kultivohet prej dekadash për të prodhuar aromën e mrekullueshme.

Kompania “Chanel”, sipas së përditshmes “Le Figaro”, ka shpërndarë një komunikatë ku nënvizon se si ndërtimi i një hekurudhe që kalon mes përmes fushave me këtë lule do të ishte një katastrofë e vërtetë për aktivitetin e saj.

“Është e qartë se ndërtimi i hekurudhës mbi të cilën do të kalojnë rregullisht trena të shpejtësisë së lartë do të detyrojë “Chanel” të ndërpresë aktivitetin artizanal në rajon”, thuhet në komunikatë.

Kompanisë, që për të prodhuar 30 miligramë parfum që ndodhet në çdo “Chanel N.5” i nevojiten 12 trëndafilë të kuq dhe 1 mijë lule jasemi, ka theksuar gjithashtu se, “lulet që mblidhen përreth qytetit Grase janë unike dhe të jashtëzakonshme, të domosdoshme për krijimin e parfumit të markës”.

Top Channel