Sekretari i Shtetit, Tillerson kalon me një votë plus

24/01/2017 00:00

Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin Amerikan e aprovoi kandidaturën e Rex Tillerson-it si Sekretar i Jashtëm i Shteteve të Bashkuara, pavarësisht shqetësimeve që rrethonin marrëdhëniet e tij të biznesit me Rusinë.

Ndarja në linja partiake ishte fare e qartë: të 11 republikanët ia dhanë votën e tyre të përzgjedhurit të Donald Trump-it dhe të 10 demokratët në komitet votuan kundër.

Votimi i plotë do të mbahet në Senatin e kontrolluar tërësisht prej republikanëve. Kjo lëvizje i vuri kapakun një dite mjaft të ngjeshur për administratën e Trump-it.

Momenti më i rëndësishëm i saj ishte tërheqja nga partneriteti i Transpaqësorit, një tjetër premtim i fushatës që miliarderi njujorkez vë në jetë pas marrjes së postit të presidentit në 20 janar. Trump firmosi urdhrin ekzekutiv për tërheqjen nga pakti tregtar i firmosur prej 12 vendeve, që ka qenë një nga shtyllat e politikës së Barack Obama-s në Azi.

Ajo që sapo bëmë, do të deklaronte shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë, është lajm i jashtëzakonshëm për punëtorët amerikanë. Në fillimin e javës së tij të parë të plotë në zyrën ovale, Trump ndaloi gjithashtu financimin e grupeve ndërkombëtare që promovojnë abortin, ngriu punësimin e disa punonjësve federalë, u takua me krerë korporatash e paralajmëroi vendosjen e taksave doganore mbi firmat që spostojnë aktivitetin jashtë kufijve dhe fajësoi votat e paligjshme për humbjen e tij të thellë të votës popullore përballë Hillary Clinton-it, por pa ofruar ndonjë provë për pretendimet e tij.

Top Channel