Lojërat Dimërore 2018, promovohet maskota

27/02/2017 00:00

Koreja e Jugut e publikoi videon promovuese të një prej maskotave zyrtare të Lojërave Olimpike Dimërore, që do të organizojë në vitin 2018.

“Soohorang” është emri i kësaj maskote, që është një tigër i bardhë dhe që në video shfaqet duke aplikuar disa disiplina sportive të përfshira në programin olimpik të këtyre lojërave.

Maskota tjetër e Lojërave Dimërore është një ari i zi aziatik, i quajtur “Bandabi”, por që nuk është pjesë e kësaj videoje promovuese.

Sipas traditës së Koresë së Jugut, tigri i bardhë besohet se është një kafshë mbrojtëse e  shenjtë e vendit aziatik. Përveç kësaj, organizatorët e ngjarjes sportive theksojnë se ngjyra e bardhë e lidh këtë kafshë me vet Lojërat Olimpike Dimërore.

Qyteti Pjongcang, ku do të mbahen Lojërat Dimërore në Korenë e Jugut, priti shumë kohë për të fituar të drejtën e organizimit të tyre. Më parë, ky qytet kishte hedhur kandidaturën e tij edhe dy herë të tjera, por pa sukses. Kjo është hera e dytë që Koreja e Jugut bëhet vendi pritës i një lëvizjeje olimpike, pas vitit 1988, kur në Seul u zhvilluan Lojërat Olimpike Verore.

Koreja e Jugut i bashkohet Japonisë, Gjermanisë, Italisë dhe Francës, si vendet ku janë zhvilluar si Lojërat Olimpike Dimërore, ashtu edhe ato Verore. Lojërat Dimërore të vitit të ardhshëm do të zhvillohen në periudhën nga 9-25 shkurt.

Top Channel