Trump e lë jashtë buxhetit murin me Meksikën

26/04/2017 08:40

Donald Trump la të kuptohet se do të heqë dorë nga planet për t’i gjetur paratë e ndërtimit të murit me Meksikën te fatura e shpenzimeve të kësaj jave.

Këshilltarja e ngushtë e presidentit, Kellyanne Conway e bëri të qartë se financimi i murit do të mbetej jashtë buxhetit, që duhet kaluar të premten.

Ngritja e murit kontrovers ishte një prej zotimeve themelore të fushatës, e sipas Trumpit, për të do të paguante Meksika. Çështja është se qeveria meksikane e ka bërë të qartë se nuk do të japë asnjë cent për këtë qëllim.

Demokratët kishin kërcënuar ta bllokonin projektligjin, nëse do të përfshinte faturën e murit. Kongresi ka vetëm pak ditë kohë në dispozicion për të arritur marrëveshjen e buxhetit 2017, e nëse ligjvënësit nuk bien dakord deri në mesnatën e 28 prillit, qeveria amerikane do të mbyllet.

Vendimi i Trumpit e largon tani këtë rrezik. Shefi i Shtëpisë së Bardhë këmbëngul, megjithatë, se muri do të ngrihet dhe se kjo çështje vetëm sa po shtyhet.

Në një takim të mbyllur me pjesëtarë të medias konservatore, shefi i Shtëpisë së Bardhë raportohet të ketë thënë se financimi i murit mund të realizohet më vonë gjatë vitit. Përmes “Twitter”-it, Trump e tregoi edhe njëherë se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ideja e tij.

“Mos e lejoni ‘fake media’-n t’iu thotë se kam ndryshuar qëndrim mbi murin. Ai do të ndërtohet dhe do të ndihmojë të ndalohet droga, trafikimi njerëzor etj.”, shkroi në “Twitter” presidenti amerikan.

Muri me Meksikën ishte shtylla e fushatës së Donald Trumpit. Në çdo tubim elektoral, ai thërriste me të madhe: muri do të ndërtohet dhe kush do të paguajë për të? Përgjigjja e turmës ishte njëzëri: Meksika.

Kur u ndesh me refuzimin e saj, presidenti mendoi t’ua kërkonte paratë taksapaguesve amerikanë me idenë se ato do t’i nxirreshin me pahir vendit fqinj në një fazë më të vonshme. Tani, në 100-ditëshin e vet në Zyrën Ovale, gjendet përballë një tjetër muri solid: kundërshtinë e senatorëve demokratë, që mund t’ia bllokojnë propozimet e shpenzimeve.

Ndoshta në të ardhmen muri mund të ndërtohet vërtet, por për Trumpin ky ishte një mësim i mirë sesa ndryshim ka fushata zgjedhore nga qeverisja.

Top Channel