Shkup, 27 prill – Skuadra e Shkupit pas disfatës në derbi nga Vardari javën e kaluar, sot (e enjte) e pret edhe një përballje tjetër derbi, ajo me Rabotniçkin në kuadër të javës së 29. Për të dyja skuadrat imperativ do të jetë fitorja, “romantikët” luftojnë për të ruajtur pozitën e tretë, derisa “pëllumbat” dëshirojnë ti ikin sa më shumë pozitës së tetë e cila qon në balotazh për mbetje në Ligë. Edhe nga radhët e Rabotniçkit, por edhe nga radhët e FC Shkupi, thonë se janë të përgatitur për këtë sfidë, duke thënë se kjo por edhe ndeshjet tjera për e kanë vlerën e vet.
“Jemi përgatitur maksimalisht kundër Shkupit. E dimë se do ta kemi vështirë, pasi Shkupi ka ekip të mirë me cilësi të madhe. Ne nuk luajmë në fushën tonë, por në “Gjorçe Petrov” dhe kjo na e prish konceptin e lojës sonë, pasi fusha në këtë stadium nuk është aspak e mirë dhe as neve dhe as futbollistëve të Shkupit nuk do të na lejon të zhvillojmë futboll të bukur ashtu siç dimë ne. Pavarësisht kësaj, ne në këtë ndeshje do të hymë si në çdo ndeshje tjetër, të japim maksimumin dhe të arrijmë fitore”, deklaroi për gazetën KOHA, futbollisti shqiptar në radhët e “romantikëve”, Suad Sahiti.
Derisa, Bujamin Asani thotë se sfida me Rabotniçkin do të jetë e vështirë, por atyre u nevojiten pikët dhe do të shkojnë të mos pësojnë disfatë. “Nuk kemi pasur kohë që të mendojmë shumë për ndeshjen që lamë pas ndaj Vardarit. Në përgjithësi kemi analizuar gabimet që kemi bërë , e që të mos përsëriten në ndeshjen e radhës ndaj Rabotniçkit, që do të jetë edhe një sfidë e vështirë, duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një ekip që është stabil dhe tani më ka ambicie të qarta për pozitën e tretë. Sigurisht se ne kemi planet tona për këtë duel, pasi që secila ndeshje ka dhe vlerën e vet, por ne kemi nevojë për pikë. Jemi të koncentruar dhe do të shkojmë të mos pësojmë disfatë, e nëse na jepet rasti do të kërkojmë edhe tri pikë të plota”, tha për faqen zyrtare të klubit, Asani.
Ndryshe, për këtë duel trajneri i FC Shkupi Ardian Nuhiu nuk do të mund të llogarisë në shërbimet dy mbrojtësve Dimitrija Llazarevski (i lënduar) dhe Sedat Berisha (pesë kartonë të verdhë). Ndeshja Rabotniçki – Shkupi luhet të enjten në stadiumin “Gjorçe Petrov” me fillim në orën 16:00. (B.K.)