Kryeministri grek Alexis Tsipras, bashkë me homologun e tij Benjamin Netanyahu dhe presidentin qipriot, Nicos Anastasiades, kanë deklaruar në një takim tripalësh se do të përshpejtojnë planet për konstruksionin e një gazsjellësi deri në fund të vitit 2025, që do të transportojë gaz natyror nga burimet e zbuluara rishtas në detin Mesdhe, drejt Europës Qendrore.

“Ne ramë dakord për të shpejtuar veprimet tona të përbashkëta, në lidhje me marrëveshjen tonë për ndërtimin e një projekti të madh. Një projekt që do të ofrojë perspektiva të reja bashkëpunimi ekonomik dhe zhvillim në lindje të Mesdheut, gazsjellësit ‘East Med’, i cili do të lidhë Izraelin, Qipron dhe Greqinë me pjesën tjetër të Europës”, tha kryeministri grek Alexis Tsipras.

Në kontekstin e këtij bashkëpunimi strategjik është diskutuar edhe projekti për shtrirjen e një kablloje elektrike nga Izraeli, nëpërmjet Qipros drejt Kretës, që do të furnizojë me energji të prodhuar nga gazi natyror, si dhe të fibrave optike, një investim që shkon deri në 1.5 miliardë euro.

“Ideja e tubacionit ‘East Med’ do të jetë një revolucion. Ne kemi pasur studime paraprake të tij, duket premtues dhe do të punojmë më shumë në këtë projekt. Por gjithashtu ai do të lidhë 3 vendet tona”, tha Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit.

Përveç çështjeve të bashkëpunimit në fushën e energjisë, mjedisit dhe teknologjisë dixhitale, në këtë samit tripalësh, i treti brenda 18 muajve, janë diskutuar edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, për shkak të krizës në Siri dhe në Gjirin Persik, si dhe çështje të sigurisë rajonale.

Takimi është zhvilluar në Selanik, ku do të ndërtohet një muze për Holokaustin, pasi mijëra anëtarë të komunitetit hebre janë vrarë nga nazistët në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Top Channel