Vettel siguron tifozët: Ndihem shumë mirë te Ferrari

24/06/2017 00:00

Sebastian Vettel siguron tifozët e Ferrarit për të ardhmen e tij duke premtuar besnikëri Kokëkuqes italiane. Në një intervistë për të përditshmen ‘La Gazzetta Dello Sport’, piloti gjerman deklaroi është i lumtur te kjo skuderi.

“Nuk kam asgjë për të cilën mund të ankohem. Zakonisht gjermanët ankohen gjithnjë, edhe kur vijnë me pushime në Itali, ku ushqimi dhe klima janë fantastike e gjejnë gjithnjë diçka për të thënë. Në këtë pikë unë nuk jam shumë gjerman. Ndihem shumë mirë te Ferrari dhe nuk kam asgjë kundër. Besoj se nuk do të ketë surpriza të mëdha. Personalisht nuk jam i shqetësuar dhe Ferrari nuk e ka me ngut”, thotw ai.

Sebastian Vettel kryeson Botërorin aktual të Formula 1 me 12 pikë më shumë se Lewis Hamilton me të cilin janë në kontrast të plotë përsa u përket karaktereve.

“ E kam të vështirë të flas, sepse nuk e njoh mirë Lewis Hamilton. Nuk kalojmë shumë bashkë. Momenti i vetëm ku ne jemi pranë njëri-tjetrit është kur jemi në pistë duke garuar. Por mund të themi se garojmë që nga koha kur ishim në Formula 3 dhe nuk kemi pasur kontakte personale. Janë shumë gjëra në mënyrën e jetesës së Hamilton, që unë nuk do t’i bëja dhe ndoshta të njëjtën gjë do të thoshte dhe ai për mua”, shton piloti gjerman.

Në fund Vettel zbuloi edhe një sekret të fëmijërisë së tij duke theksuar se ëndrra e tij ishte të bëhej këngëtar si Michael Jackson.
“Kur isha fëmijë kisha aftësi për të kënduar, por gjërat ndryshuan kur hyra në moshën e adoleshencës duke humbur çdo shans për të ndërmarrë këtë karrierë, kështu që zgjodha garat automobilistike”, tregon Vettel në intervistën e tij.

Top Channel