Grevë në doganat greke, të enjten kalojnë vetëm udhëtarë

18/10/2017 10:35

Doganat greke nuk do të funksionojnë për 24 orë, për shkak të një greve.

Policia Kufitare lajmëron të gjithë udhëtarët që të mos nisen drejt Greqisë, pasi lëvizja e automjeteve nuk do të jetë e mundur që nga ora 23 e së mërkurës deri në të njëjtën orë të datës 19 në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, si dhe nga ora 7 e mëngjesit të së enjtes deri në orën 7 ditën e premte në pikën kufitare të Kakavijës.

Meqenëse në grevë janë vetëm doganierët, e jo policia, kalimtarët do të jenë të lirë të lëvizin në kufi.

Doganierët grekë protestojnë kundër reformës së pensioneve dhe kushteve të punës. Një nga kërkesat e doganierëve është dhe rritja e pagave.

Që prej fillimit të krizës greke, pagat dhe pensionet e këtij sektori janë ulur deri në 50%, ndaj sindikata e sheh grevën si e vetmja rrugë për plotësimin e kërkesave.

Deri mëngjesin e së premtes, asnjë pikë doganore nuk do të lejojë kalimin e mjeteve dhe mallrave. Ndërsa asnjë anije mallrash, tren ose kamion, nuk do të përpunohet në portet dhe pikat hyrëse e dalëse të vendit. Lëvizja pritet të normalizohet paraditen e së premtes.

Top Channel