Katalunja “pushtohet” nga Spanja. Madridi nis procedurat

19/10/2017 08:30

Spanja do të vendosë sundimin e drejtpërdrejtë mbi Katalunjën, pasi presidenti i rajonit autonom nuk e sqaroi pozicionin e tij brenda afatit të fundit kohor, që ishte ora 10 e paradites.

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Madridi zyrtar njoftoi se do të aktivizojë nenin 155 të Kushtetutës, të pazbatuar asnjëherë më parë, i cili i lejon pezullimin e të drejtave të zgjeruara që Katalunja kishte gëzuar deri më tani.

Përpara se neni mitik të hyjë në fuqi, ai duhet të marrë “dritën jeshile” të Senatit spanjoll, gjë që nuk do të jetë e vështirë, pasi Dhoma e Lartë e Parlamentit kontrollohet nga Partia Popullore e Rajoyt dhe aleatët e saj.

Njoftimi erdhi pak minuta pasi kreu katalanas, Carles Puigdemont paralajmëroi se rajoni mund ta shpallë zyrtarisht pavarësinë, nëse ekzekutivi spanjoll nuk pranon bisedimet. “Po vazhdoi qeveria qendrore ta pengojë dialogun dhe të ndjekë rrugën e shtypjes, Parlamentit katalanas do të procedojë – nëse e sheh të nevojshme, – me votimin e shpalljes zyrtare të mëvetësisë”, thuhej në letrën e dërguar Rajoyt nga Puigdemont, pak minuta përpara skadimit të afatit, i dyti dhe i fundit i vendosur Katalunjës këtë javë.

Situata tashmë ka hyrë në hullinë e paqëndrueshmërisë. Pezullimin e autonomisë, Madridi do ta nisë të shtunën, kur ministrat e kabinetit qeveritar do të takohen për aktivizimin e nenit të shumëdiskutuar, që i lejon të marrë në duar drejtimin e rajonit rebel.

Shumë druhen se kjo lëvizje dhe shpallja e paralajmëruar e shkëputjes do të shkaktojnë trazira. Mendohet se masat e ekzekutivit qendror do të nisin me vënien nën kontroll të policisë rajonale e financave të Katalunjës, e mund të vazhdojnë me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, duke larguar kështu nga detyra Puigdemontin dhe qeverinë rajonale.

Disa ekspertë pretendojnë se neni 155, pjesë e Kushtetutës së vitit 1978 që çimentoi sundimin demokratik në vend pas vdekjes së diktatorit Franco, nuk i jep qeverisë pushtetin ta pezullojë plotësisht autonominë e rajonit.

Top Channel