Top Channel e nis ndryshe sezonin e ri

19/10/2017 23:53

Ashtu sikundër e do tradita, familja e madhe e Top Channel u mblodh në një një festë edhe më të madhe për fillimin e sezonit të ri, që përkon edhe me ditëlindjen e themeluesit të Top Medias, Dritan Hoxha.

E ky moment, si gjithmonë nuk është vetëm një moment feste, por edhe një stimul për të vazhduar ëndrrën e Tanit edhe më të vendosur se më parë.

Fjalën e mbajtur në hapjen e festës, Presidentja e Top Channel, Vjollca Hoxha këtë vit e nisi ndryshe.

Mesazhi i Presidentes së Top Channel, Vjollca Hoxha
Kemi shumë vite që mblidhemi, festojmë bashkë dhe i premtojmë njëri-tjetrit që sezoni i ri do të jetë më i mirë se ai që shkoi.

Dua që ta bëjmë ndryshe këtë vit, duke filluar nga mua personalisht dhe familja Hoxha; për çdoherë që dikush nga ju është ndjerë i pavlerësuar, i fyer, apo i pakënaqur, ju kërkoj personalisht ndjesë!

Për çdo ide, projekt apo mundësi që iu është mohuar, kërkoj ndjesë!

Për të gjitha orët që keni punuar pa u ankuar, pa pritur asgjë në këmbim dhe të lumtur për rezultatin, ju jam mirënjohëse dhe sinqerisht ju them njëmijë herë faleminderit!

Faleminderit çdonjërit prej jush, të gjithëve pa përjashtim!

Sezoni i ri sapo është çelur e do të kemi kohë të diskutojmë, analizojmë rezultatet e secilit dhe natyrisht do të shpërblehen punëtorët më të talentuar dhe më të mirë.

Por sot është festë dhe prandaj le të festojmë!

Gëzuar të gjithëve!

Top Channel